Menu

Dr. Hoxha: Vdekshmëria e foshnjave në 2014 vetëm 10 promil

User Rating:  / 1
PoorBest 

Duke krahasuar shkallën e vdekshmërisë së foshnjave për periudhën 10 vjeçare të Klinikës së Neonatologjisë, drejtoresha e kësaj Klinike dr. Mynevere Hoxha, ka deklaruar se përderisa në vitin 1994 shkalla e vdekshmërisë së foshnjave ka qenë 46 promil, në vitin 2014, kjo vdekshmëri është zvogëluar në 10 promil. Por, të gjithë suksesin dhe meritat e kësaj klinike, ajo ia dedikon stafit të saj mjekësor.

Ajo për Kosova Info ka shpalosur të dhënat e klinikës që ajo drejton nga viti 1994 e deri në vitin 2014, sa i përket vdekshmërisë së foshnjave në vend, e po ashtu edhe për reformat që janë bërë, e të cilat kanë ndikuar në zvogëlimin e vdekshmërisë së foshnjave.

Dr. Hoxha, përveç statistikave që i ka përgatitur për Klinikën e Neonatologjisë, ajo ka veçuar edhe çështjet se çka kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë.

Gradualisht dr. Hoxha ka bërë publike, analizimin e analizimin e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave nga viti 1994, ku atëherë, sipas saj shkalla e vdekshmërisë së foshnjave ka qenë 46 promil.

“Pra në vitin 1994 në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, në atë kohën e 10 vjetarit kur kemi qenë jashtë institucioneve kishin qenë pranuar 5948 foshnje, pra që janë trajtuar gjatë vitit, ku prej tyre 276 foshnje kanë vdekur, kurse 333 foshnje janë referuar për në Beograd, e që për fatin e tyre nuk dihet, pra nuk kemi të dhëna për këto foshnje. Duhet të përmendet se në atë kohë të gjitha foshnjat janë referuar si mortalitet neonatal, foshnjat që kanë lindur mbi 1000 gram dhe mbi 28 javë të moshës së barrës, kurse foshnjat të cilat kanë qenë me peshë më të ultë se 1000 gramë, ata janë referuar si abortues, pra nuk kanë hyrë në llogaritjet statistikore. Edhe kjo tregon se shkalla e mortalitetit, ka qenë shumë e lartë ku ndoshta edhe gjysma e këtyre fëmijëve kanë qenë në gjendje të rëndë”, ka treguar dr. Hoxha për Kosova Info.

Kurse sa i përket të dhënave të vitit 1998 ,  ajo ka cekur se në këtë vit është rritë shkalla e vdekshmërisë së foshnjave, ku kanë qenë 4039 lindje, ku prej tyre 214 foshnje kanë vdekur, ndërsa 53 promil ka qenë shkalla e mortalitetit, përderisa nuk kemi gjetur asnjë shifër të referimeve, por në bazë të personave që kanë punuar jemi informuar se ne vitin 1997, njësia intensive e Klinikës Obstetrike Gjinekologjike është pajisur me aparate të frymëmarrjes, pra me respirator ku edhe janë ndal referimi i foshnjave për në Beograd, pra janë trajtuar në QKUK.

Kurse, pas kthimit në institucione shëndetësore, dr. Hoxha tregon se gjithsejtë 6176 foshnje janë trajtuar në Klinikën e Neonatologjisë, ku 191 foshnjë kanë vdekur, ndërsa shkalla e mortalitetit ka qenë 31 promil, përderisa ajo ka thënë se kanë informata se vetëm tri foshnjë janë referuar për në Beograd.

“Në viti 2000 ka qenë 29.5 promil shkalla e mortalitetit të foshnjave pra gradualisht kemi pasur rënie të shkallës së mortalitetit, përderisa në viti 2007 në 19.7 promil, kurse në vitin 2008 14.8 promil shkalla e vdekshmërisë së foshnjave, ndërsa referime të foshnjave nuk kemi pas. Por në vitin 2011, është rritur shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në 22 promil, dhe elementi pse është rritë vdekshmëria e foshnjave”, ka thënë ajo.

Ajo në vazhdim ka treguar se pse në këtë vit është rritur vdekshmëria e foshnjave, duke thënë se shkak ka qenë se Neonatologjia kosovare ka funksionuar në dy klinika, ku njëra njësia i ka pranuar foshnjat që kanë lindur jashtë dhe janë trajtuar në Klinikën e Pediatrisë, kurse tjetra njësi në kuadër të klinikës Obstetrike Gjinekologjike.

“Me bashkimin e dy personeleve, patëm pak ç’rregullime dhe turbullira, ku praktikisht njëri personel i papërgatitur në menaxhimin e fëmijës nga salla e lindjes, tjetri me pranimet nga jashtë dhe në një farë mënyre u rritë shkalla e vdekshmërisë. Pas kësaj, menjëherë kemi ndërmarrë masa, me protokolle të reja me trajnime të stafit, me shfrytëzimin e eksperiencës së njerëzve që dinë se si të menaxhohet mirë, ku menjëherë në viti tjetër, në vitin 2012 shkalla e vdekshmërisë së foshnjave është zvogëluar në 17.4 promil, kurse në vitin 2013, në 15.7 promil, përderisa në vitin 2014  për herë të parë, shkalla e vdekshmërisë së foshnjave ka qenë vetëm 10 promil, e që e konsiderojmë me të vërtetë një sukses të madh”, ka theksuar dr. Hoxha.

Po ashtu, dr. Hoxha ka theksuar se gjatë tërë kësaj periudhe, kanë vazhduar me përgatitjen e stafit, dhe me monitorimin e protokolleve, duke thënë se asnjë fëmijë gjatë kësaj kohe nuk është referuar për shërim jashtë vendit, përveç ndonjë rast kardiokirurgjikë që i është bërë zgjidhja.

Ajo ka thënë se vetëm katër ose pesë foshnje brenda vitit janë referuar për shërim jashtë vendit, ku në këto raste, ajo ka treguar se kanë bashkëpunim të mirë me Italinë, dhe ndonjë herë ndonjë rast dërgohet edhe në Gjermani ose Austri.

Përveç kësaj, ajo ka bërë publike për Kosova Info edhe analizat e mortalitetit specifik neonatal në bazë të peshave të foshnjave, ku  ajo ka bërë të ditur se foshnjat këtu ndahen në bazë të peshës si në 500, dhe 999 gramë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në grup pasha në 1000 dhe 1500 gramë, 1999 gramë, në 2500 dhe mbi 250 gramë, e që sipas saj, rrezikun më të madh për vdekjen e foshnjave e kanë pas foshnjat me peshë më të vogël.

“Nga të dhënat e vitit 2000 shihet se vdekshmëria e foshnjave mbi 1000 dhe 1500 gramë, ka pas rënie të vdekshmërisë”, ka thënë dr. Hoxha, duke shtuar se kjo ka ndodhur falë trajnimeve të organizatave si UNICEF-it, OBSh-ja, nga kujdesi esencial i të paslindurit dhe të ushqyerit me gji, dhe sistemi romingen, të cilat e ka zbrit vdekshmërinë e foshnjave gjatë viteve për këtë grup peshe, pra të 1000 dhe 1500 gramë, në 16. 1 për qind.

Ndërkaq, ajo ka bërë të ditur se vdekshmëria e foshnjave në 2000 dhe 2500 gramë, e që praktikisht tani gati nuk vdesin, vetëm nëse ka ndonjë anomali të madhe, ka qenë 31 për qind vdekshmëria e kësaj grup peshe, por në bazë të viteve edhe tek kjo grup moshë ka ra  vdekshmëria.

“Tashmë prioritet i ynë janë foshnjat nën peshën 1000 gramë, ku zakonisht edhe tek këto foshnjë kanë arritur të mbijetojnë deri në 35 për qind, edhe pse grup meshat 500 gramë, ose 22 javë, kërkojnë kushte specifike, staf monitorime, aparaturë të sofistikuar. Por me këto kushte dhe rrethana që i kemi, dhe me praktika të mira të përkujdesjes, falë stafit dhe menaxhimit të protokolleve, kemi arritur këtë situatë të mirë që jemi tani”, ka thënë ajo, duke shtuar se qëllimi dhe intenca është ulja e vdekshmërinë edhe të kësaj grup peshe, ku njëherit është edhe prioritet i klinikës.

Foshnjat e kësaj grup peshë, sipas dr. Hoxha, janë një numër i vogël ku gjithsejtë janë rreth 142 deri në 150 foshnjë në vit, madje të tjerët 240 fëmijë, 500 foshnje të grup peshës tjetër, kurse mbi 9000 foshnja janë në grup peshat mbi 2500 gramë, e që sipas saj, kjo grup moshë nuk kanë vdekshmëri as 2 për qind, për shkak të peshës dhe moshës.

“Shëndeti i nënës dhe fëmijës tashmë janë prioritet jo vetëm në letër, por ky prioritet është fuqizuar bukur shumë, ku edhe ministri paraprak ka pasur interesim shumë të madh për këtë lëmi”, ka thënë ajo.

Një gjë të veçantë dhe shumë të rëndësishme, ajo ka përmendur edhe komunikimin shumë të mirë si asnjëherë më parë me menaxhmetin e QKUK-së, e që sipas saj, prioritete nuk shkojnë në vesh të shurdhër, por bëhen realitet, pra implementohen.

Përndryshe, Dr. Hoxha, ka thënë se edhe më tutje do të vazhdojnë të përmirësojnë cilësinë e klinikës së ajo drejton, përderisa, Klinika e Neonatologjisë, është e rëndësishme, pasi që nga aty jeta fillon./Lumturie BEKA - Kosova.info

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm