Menu

Niko Kotherja: Muzeu Kombëtar i Arsimit është vendosur në godinën ku u hap shkolla e parë shqipe

User Rating:  / 0
PoorBest 

Niko Kotherja është një studiues i zellshëm i historisë, dhe një arkivst shembullor i sendeve, veshjeve, apo dorëshkrimeve të patriotëve korçarë dhe më tej. Me ardhjen në detyrë si drejtor i Muzeut Kombëtar të Arsimit, ai i dha një formatim ndryshe, plot materiale për të paraqitur sa më denjësisht figurat patriotike të Korçës, kryesisht atyre të Rilindjes Kombëtare. Për hobin e tij, vëmendjen ndaj figurave patriotike dhe historike, hulumtimet e ndryshme mbi jetën, sendet, veshjet, armatime, dorëshkrimet e tyre ka tërhequr vëmendjen e Kryeministrit Rama i cili vetë theksoi se në Rubrikën e tij Amarcord në facebook një ndër furnizuesit kryesor ishte Niko Kotherja. Në ceremoninë e dhënies së titullit "Qytetar Nderi i Korçës" Rilindësit, Pandeli Sotiri më 7 mars, ishte vetë Rama ai që u interesua dhe mori pjesë në këtë aktivitet.

Niko Kotherja

Flet Drejtori i Muzeu Kombëtar të Arsimit Korçë, Niko Kotherja

Bisedoi: Albert Z. ZHOLI

Ditën e 7 marsit festën e mësuesit u zhvillua ceremonia e dekorimit "Qytetar Nderi i Korçës" Rilindasit, Pandeli Sotiri. Pjesëmarjen në këtë ceremoni të Kryeminsitrit si do ta cilësoni?

Jubileu i 130 vjetorit të Mësonjëtores absolutisht që duhej vlerësuar dhe përkujtuar në përmasat e veçanta që meriton. Dhe kjo, jo vetëm në Korçën e dijes e të kulturës, por në mbare trevat shqiptare. Një vlerësim i madh ishte edhe prezenca e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama në ceremonitë kushtuar 7 Marsit. Institucioni i Bashkisë së Korçës ka marrë nismën e nderimit dhe dekorimit të figurave të shquara të Mësonjëtores që prej 125 vjetorit të çeljes, pra në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë, kur u dekoruan si "Qytetarë Nderi" disa personalitete të shkollës së parë shqipe, mes së cilëve Nuçi Naçi, Thimi Marko, Jovan Kosturi, Alo bej Dishnica, Xhuvi Sharëxhi, etj., për të mbërritur në këtë 130 vjetor me dekorimet e shumë figurave të tjera, ku mes së cilëve ju keni veçuar figuren e Pandeli Sotirit - mësuesit të parë, drejtorit të parë dhe dëshmorit të parë të Mësonjëtores. Për Pandeli Sotirin do të shprehesha se është i vonuar ky nderim tejet i merituar. Gjithashtu, edhe për figurat e ndritura, si Naim Frashëri e Sami Frashëri, Jani Vreto e Petro Nini Luarasi, që tanimë janë nderi i qytetit të Korçës. I vonuar, sepse për vite të tëra në Muze, institucion nga kryesisht duhet të dilnin propozimet për dekorime, duhej të studiohej dhe analizohej historiku i Mësonjëtores, vëmendja ishte e shpërqendruar. Nuk zhvillohej asnjë aktivitet i tillë shkencor dhe kërkimor. Muzeu Kombëtar i Arsimit ishte kthyer në një vend të abandonuar, ku askush nuk mund të hynte dhe ku nuk kishte asnjë objekt. Nuk pasurohej me asnjë lloj materiali dokumentar dhe nuk dilte asnjë propozim. Qysh para rreth tre vitesh filloi të ndryshonte gjendja në Muze. Që në momentet e para të prezencës sime aty, unë munda të kontaktoj me pasardhës të patriotëve, të cilët filluan të dhuronin materiale për Muzeun. Gjithashtu, u fillua puna për ngritjen e një biblioteke brenda në Muze, e përpilimit të dosjeve të arkivit dhe të mediatekës. Këto sollën një interesim të madh dhe të jashtëzakonshëm të vizitorëve, të cilët informoheshin për ndryshimet në Muze nga kronikat e shumta të botuara në shtypin e shkruar dhe prezantime në televizione dhe portale.

Mund të na flisni pak për historikun e Muzeut Të Korçës dhe të veçantat e tij?

Muzeu Kombëtar i Arsimit është vendosur në godinën ku u hap shkolla e parë shqipe, më 7 mars 1887. Si godinë datohet afërsisht rreth vitit 1840, ose edhe më parë. Në pjesën më të madhe të jetës së saj, godina ka qenë në funksion publik ndaj shoqërisë. Prej 1887 e deri më 1902 ka qenë vendosur Mësonjëtorja. Prej vitit të mbylljes së shkollës, godina u administrua nga autoritetet osmane, të cilët e kthyen në burg deri në kohën e shpalljes së Hyrjetit, kur shqiptarët e rimorën në dorëzim këtë godinë për të rihapur aty shkollën shqipe dhe për të ngritur formacionin muzikor e patriotik "Banda e Lirisë", në tetor 1908. Si shkollë godina vazhdoi të ishte në funksion deri në vitin 1967, vit kur u kthye në ambient muzeal me emërtimin e Muzeut Kombëtar të Arsimit, siç vazhdon edhe sot. Sot Muzeu i ofron vizitorëve materiale shumë interesante të rrugëtimit të shkollës së parë shqipe. Që nga portretet fotografikë të themeluesve, kontribuuesve, drejtuesve e nxënësve, libra e tekste të përdorura në kohën e Mësonjëtores, objekte të përdorura nga atdhetarët që kanë qenë pjesë e Mësonëjtores, improvizimi i dhomës së drejtorit të Mësonjëtores, që e kemi gjetur të dokumentuar në kujtimet dorëshkrim të patriotit Nuçi Naçi dhe që sot ai kënd mban librin ku vizitorët shënojnë përshtypjet e tyre, etj. Muzeu ka pasur një numër shumë të madh aktivitetesh të zhvilluara gjatë këtyre viteve si dhe një numër jashtëzakonisht të madh vizitorësh të kuriozuar për të ndjekur çdo eksponat të vendosur. Kemi organizuar ekspozita të ndryshme me temë nga historia, kultura dhe arti, si ekspozita me koleksionistë, ekspozita personale të piktorëve si dhe koloni të ndryshme të piktorëve dhe fotografëve. Këto ekspozita organizohen në sallat e ekspozitave të Muzeut. Janë organizuar takime përkujtimore rreth figurave të shquara të shkollës shqipe, në bashkëpunim me institucione të ndryshme, si me Bashkinë e Korçës, institucionin e Këshillit të Qarkut, Drejtorinë Arsimore Rajonale, shkollat 9 vjeçare të qytetit, etj.

Çfarë vendi zë në muzeum momenti i përhapjes së gjuhës shqipe në Korçë dhe më tej?

Korça ka veçanti të dallueshme për sa i përket zhvillimit të gjuhës shqipe dhe përhapjes së saj. Këtu, duhet përmendur me respekt të veçantë emri i pionierit të zgjimit kombëtar shqiptar, Naum Haxhi Llazar Bredhit, i njohur si Naum Veqilharxhi, me dy botimet e tij të para të abetares së shqipes, më 1844 dhe më 1845. Këto abetare u shpërndanë në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në zonën e Korçës e të Përmetit. Me këto abetare u hap shkolla e Trebickës, në vitin 1854, prej së cilës pohon se ka mësuar shqipen rilindasi dhe folkloristi Spiro Dine. Më pas vlen të theksohet që përbërja e kolonive patriotike të shqiptarëve në Egjipt, Bullgari dhe Rumani ishte nga korçarët, të cilët u organizuar në klube e shoqëri si dhe vunë në punë shtypshkronjat prej së cilave dolën tekstet e shkollave shqipe. Korça ka një vend të veçantë dhe të ndritur në gjithë lëvizjet patriotike shqiptare, brenda e jashtë atdheut dhe në gjithë periudhat; ka një rol vendimtar në Rilindjen e Pavarësinë e Shqipërisë, pa të cilin është e zorshme të themi sot se do të ishte mëvehtësuar Shqipëria.

Si mori formë dhe ku e gjetët mbështetjen për pajisjen dhe plotësimin sa më funksional të muzeut?

Një punë e tillë ka filluar qysh para disa vitesh, siç thashë edhe më lart. Kemi pasur një bashkëpunim të mrekullueshëm mes pasardhësve të patriotëve. Meqë më jepet rasti, dua të falënderoj përzemërsisht zonjat Andoneta Naçi, Natasha Fundo, Violeta Pojani, Shpresa Kajno, Adelina Mazreku, Aida Karamelo dhe zotërinjtë Koç Grameno, Maksim Bratko, Anesti Bitri, Berti Treni, Genci Treni, Gjergji Peleshi, Kiço Negovani, Niko Face, Viron Prodani, Josif Minga, Mirgen Shamblli, Kristi Samara, të ndjerin Alfred Uçi dhe shumë të tjerë për ndihmesën që kanë dhënë në plotësimin e Muzeut më materiale shumë interesante dhe të vlefshme për ne dhe vizitorët.

Korça po mer flamurin e nderimit të figurave patriotike, kush ishte shtysa e nxitjes së kësaj nisme?

Sot Korça ka trashëguar një boshllëk të madh të nderimit të figuravë të shquara. Siç thashë më lart, edhe pse ka filluar një punë e tillë që prej disa vitesh më parë, përsëri është trashëguar boshllëku i asaj vëmendjes së munguar ndër vite me radhë. Unë jam shumë i kënaqur që me institucionin e Bashkisë së Korçës po e kthejmë në traditë vlerësimin dhe dekorimin e figurave të shquara të qytetit të Korçës, sepse ne sot kemi shumë nevojë për atë çka paraardhësit tanë ishin. Dhe askund më mirë sesa në një Muze apo në aktivitete të tilla të veçanta, secili mund të bëjë pjesë të vetes së tij diçka nga fryma e atyre njerëzve që shkrinë dhe sakrifikuan gjithçka për atdheun.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm